e martë, 3 nëntor 2026

Lajmi i fundit
Sirena

Lajmi që nuk pret

E FUNDITLajme

Gjoba 5000 lekë për 16 persona që bllokuan bulevardin përpara Kryeministrisë gjatë protestës

Policia vendosi 16 masa administrative ndaj protestuesve të 2 nëntorit dhe referoi në Prokurori dy të mitur të dyshuar për veprime të kundërligjshme.

Policë dhe protestues në një bulevard përpara godinës së Kryeministrisë

Policia ka vendosur gjoba prej 5000 lekësh ndaj 16 personave që gjatë protestës së 2 nëntorit bllokuan bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Është rasti i parë kur zbatohet paketa “Anti-Dhunë”, akti normativ që Qeveria miratoi pesë ditë më parë dhe që parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë për mosbindjen ndaj urdhrave të policisë.

Sipas njoftimit të Policisë, janë plotësuar 16 procesverbale për kundërvajtje administrative, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, pika 2 e nenit 24/1. Protestuesit akuzohen se penguan qarkullimin e mjeteve dhe nuk iu bindën thirrjeve të përsëritura të punonjësve të policisë me megafon për të liruar rrugën.

Nga 16 masat, 14 u vendosën ndaj personave të shoqëruar, ndërsa 2 të tjera pasi dy persona u identifikuan nga pamjet filmike. Secili u gjobit me 5000 lekë.

Njëkohësisht, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit nr. 2 referuan materialet në Prokurori, e cila nisi procedim penal ndaj dy të miturve. Ata dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të organizuar nga studentët. Materialet iu dërguan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.