e hënë, 2 nëntor 2026

Lajmi i fundit
Sirena

Lajmi që nuk pret

E FUNDITPolitikë

Ndreca: Gogu i çoi Veliajt në qeli një ultimatum të pretenduar nga Rama për mandatin e bashkisë

Avokati i Erion Veliajt pretendon se ministri i Drejtësisë ka shkuar në burgun e Fierit me një mesazh nga kryeministri, ku i kërkohej dorëzimi i mandatit. Veliaj sipas tij e ka refuzuar kërkesën.

Ndërtesa e bashkisë së Tiranës

Avokati Plarent Ndreca ka bërë të ditur se ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka shkuar në burgun e Fierit për t’i përcjellë kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një ultimatum në emër të kryeministrit Edi Rama. Sipas avokatit, Veliajt i është kërkuar të dorëzojë menjëherë mandatin, t’u delegojë kompetencat njerëzve që do të caktonte Rama dhe të heqë dorë nga mbrojtësi i tij.

Në rast refuzimi, thuhet se Veliaj do të transferohej në një burg tjetër dhe se do të nisnin hetime të reja nga SPAK. Denoncimi u bë publik fillimisht nga Hashtag.al.

Ministri ka mbërritur me urgjencë mbrëmjen e së premtes, më 30 tetor, dhe sipas pretendimit ka hyrë në burg pa u regjistruar. Ai i ka thënë Veliajt se po përcillte tekstualisht porosinë e kryeministrit, i cili nga ai çast do t’i drejtohej vetëm si kryeministër dhe jo si “babai politik”.

Sipas avokatit, Veliaj nuk e ka pranuar ultimatumin dhe i është përgjigjur menjëherë ministrit: “dhe sikur 100 vite burg të bëj, nuk ja marr fytyrën fëmijëve të mi”. Takimi ka zgjatur vetëm disa minuta. Për dy ditë Veliaj nuk ka patur mundësi ta bënte të ditur ngjarjen, derisa e hëna kur e ka takuar avokati.

Marrëdhënia mes Ramës dhe Veliajt është përpërkeqësuar që nga arrestimi i këtij të fundit në shkurt të vitit 2025. Në mars të atij viti Veliaj firmosi nga qelia emërimin e Sara Goxhajt si nënkryetare në vend të Anuela Ristanit, por u tërhoq brenda 24 orësh, duke thënë se nuk kishte patur informacionin e duhur. Në shtator, me kërkesë të Ramës, Këshilli Bashkiak votoi shkarkimin e tij, ndërsa Rama kishte shpallur kandidate Ogerta Manastirliun për zgjedhjet e pjesshme. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese e ktheu Veliajn në detyrë.

Më 26 tetor Veliaj përshëndeti fitoren e Listës Studentore ndaj Aleksandër Vuçiçit në Serbi, teksa në Shqipëri zhvilloheshin protesta kundër qeverisë. Dy ditë më pas, më 28 tetor, ai u transferua nga paraburgimi i Durrësit në Fier. Drejtoria e Burgjeve e arsyetoi lëvizjen me masa sigurie dhe e klasifikoi urdhrin si “sekret shtetëror”, ndërsa Veliaj e cilësoi “rrëmbim policor”.

Më 30 tetor, po atë ditë kur sipas avokatit ndodhi vizita e ministrit, Veliaj shkarkoi nënkryetarët Vasilika Vjero dhe Ilir Mëngra dhe emëroi Etleva Bishën.