Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë publike një letër të shkruar me dorën e tij, ku paraqet atë që pretendon se u tha gjatë takimit me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, në burg. Në reagimin që e shoqëron letrën, ai mohon çdo lidhje me organizimin ose financimin e protestave studentore.
Veliaj i kërkon kryeministrit Edi Rama të paraqesë prova për këto aludime dhe thotë se nuk do të lejojë askënd të cenojë dinjitetin e tij. “Dua të siguroj socialistët se unë nuk e gjuaj shtëpinë time socialiste me gurë, por as nuk lejoj të gjuajë me gurë askush mbi dinjitetin tim”, shkruan ai. Më tej shton: “Unë vërtet kam më pak liri sesa Kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”.
Aludimet se ka organizuar ose financuar protestat ai i cilëson “haluçinacione bolshevike” dhe pretendon se e gjithë e vërteta e takimit gjendet te letra e publikuar.
Sipas shënimeve të tij, takimi u zhvillua të premten në orën 22:30, kur Gogu paraqitet pas 20 muajsh. Në letër, Veliaj e përmend kryeministrin me inicialin “R” dhe ministrin me “TG”. Ai pretendon se Gogu i ka thënë që Rama ishte përfshirë personalisht në transferimin e tij, në izolimin në burg dhe në çështje si lejet për spital, takimet dhe kontaktet me miqtë e familjarët.
Sipas Veliajt, kryeministri e kishte anashkaluar ministrin e Drejtësisë dhe kishte vendosur tri kërkesa ndaj tij. E para ishte të pranonte përfshirjen në çështjen “Flamingot – Studentët”, përndryshe do t’i shtoheshin akuzat për “prishje të rendit kushtetues” dhe rrezikonte 100 vjet burg në burgjet 313 dhe 302.
Kërkesa e dytë ishte të hiqte dorë nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe t’ia delegonte pushtetin Arbër Hajdarit. E treta ishte të ndërpriste konsultimet me avokatin Plarent Ndreca.
Në fund të reagimit, Veliaj i drejtohet drejtpërdrejt Ramës: “Sfidoj Kryeministrin e vendit të nxjerrë një provë të vetme për aludimet e protestave. Ndryshe ik!”.