Radarët inteligjentë dhe sistemet e avancuara të monitorimit të trafikut pritet të vihen në funksion në Shqipëri nga 1 janari, për të evidentuar shkeljet në akset kryesore rrugore. Faza e parë përfshin 14 segmente me gjatësi totale afro 200 kilometra.
Pajisjet janë instaluar disa muaj më parë në një pjesë të rrugëve më të frekuentuara dhe tani po bëhen përgatitjet për nisjen e operimit. Policia e Shtetit ka nisur trajnimet për një grup efektivësh që do të monitorojnë dhe interpretojnë të dhënat e regjistruara, drejtpërdrejt nga Qendra e Monitorimit të Trafikut.
Punonjësit e policisë do të kenë në dispozicion sisteme inteligjente për të identifikuar shkeljet dhe për të ndjekur në kohë reale lëvizjen e mjeteve. Për efektivët e angazhuar në këtë detyrë pritet edhe një rishikim page, që sipas informacioneve mund të arrijë deri në 1800 euro.
Teknologjia parashikon përdorimin e sistemeve kombëtare të mbikëqyrjes tokësore, detare dhe ajrore, me pajisje stacionare dhe të lëvizshme. Radarët do të regjistrojnë dhe transmetojnë të dhëna për pozicionin, kursin, shpejtësinë, kohën dhe përmasat e objektivit, ndërsa kamerat do të fotografojnë e filmojnë lëvizjen e mjeteve për të krijuar bazën e të dhënave për shkeljet. Sistemi parashikon edhe integrimin e kamerave me rreze aktive, sensorëve dhe pajisjeve me frekuenca radioje.
Segmentet e para përfshijnë aksin Tiranë–Durrës (32 km, nga Sheshi Shqiponja te Mbikalimi i Portit) dhe Tiranë–Elbasan (26.4 km, nga zona e TEG-ut në Bradashesh). Në listë janë edhe Durrës–Plazhi i Unazës (5.9 km), Durrës–Kavajë (9.81 km) dhe Unaza e Kavajës (7.89 km).
Monitorimi do të shtrihet gjithashtu në Kavajë–Rrogozhinë–Lushnjë (13.9 km), Unazën e Lushnjës (4.62 km), Lushnjë–Fier (20 km), Unazën e Fierit (21.5 km) dhe Fier–Vlorë (24 km). Pjesë e fazës së parë janë Vorë–Ahmetaq (6.52 km), Qafë-Kashar–Rinas–Ahmetaq (9.59 km) si dhe kryqëzime e rampa lidhëse me gjatësi 5 km.
Me sistemin e ri synohet që kontrolli i Policisë Rrugore të mos varet vetëm nga patrullat në terren, por edhe nga teknologjia që dokumenton lëvizjen e automjeteve. Rreth 200 kilometrat e parë shërbejnë si fazë fillestare e një sistemi më të gjerë, që synon të përfshijë gradualisht edhe akse të tjera.