Banka Kombëtare e Serbisë ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar kundër ALTA Bankës dhe disa personave përgjegjës të saj. Banka është në pronësi të biznesmenit Davor Macura, i cili raportohet se ka lidhje të ngushta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Më 27 tetor, Prokuroria kërkoi të dhënat për të gjitha transaksionet e kryera drejt vendeve të huaja. Më 29 tetor kërkesa u zgjerua dhe përfshiu veçanërisht konvertimin e valutave dhe daljen e fondeve nga llogaritë e bankës. Një ditë më pas, Prokuroria iu drejtua Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar, me kërkesë për verifikimin e aktivitetit të bankës dhe të personave përgjegjës në Bankën Qendrore.
Avokati Ivan Niniq kishte ngritur më herët shqetësimin për një proces të nxituar të transferimit të kapitalit jashtë Serbisë, drejt llogarive dhe subjekteve juridike në Moskë dhe Shkup. Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Srdan Milivojeviq, pretendoi se ishte përgatitur transferimi i 50 milionë eurove nga ALTA Banka te një institucion financiar jashtë vendit.
Opozita maqedonase kërkoi sqarime nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, me dyshimin se vendi mund të shërbente si pikë tranziti për paratë drejt Moskës. Banka Kombëtare e Serbisë kishte deklaruar se pretendimet e pakonfirmuara për transferime të dyshimta mund të shkaktonin shqetësim të pabazuar te publiku. Deri tani, destinacioni përfundimtar i 50 milionë eurove nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Pas heqjes së licencës, procedurat e falimentimit do t’i administrojë Agjencia e Sigurimit të Depozitave, me vendim gjykate. Banka Qendrore garantoi se depozitat e siguruara, deri në 50 mijë euro për secilin depozitues, mund të tërhiqen sipas procedurave përkatëse, ndërsa klientët do të njoftohen se në cilën bankë mund t’i marrin paratë. Hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse janë kryer transferime të paligjshme dhe kush mban përgjegjësi për gjendjen financiare e veprimtarinë e bankës.