Administrata tatimore ka vendosur nën sekuestro kompaninë Qinglong Petroleum, degën shqiptare të një shoqërie nga Hong Kongu, pasi ajo nuk ka shlyer detyrime fiskale prej të paktën 100 milionë lekësh të vjetër. Emri i kompanisë shfaqet edhe në hetimin e Prokurorisë së Fierit për koncesionarin e naftës Bankers Petroleum.
Më 12 tetor 2026, administrata tatimore i kërkoi Qendrës Kombëtare të Biznesit të vendoste masën e sigurimit, që të mos lejohet tjetërsimi i aksioneve të shoqërisë “Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLP Albania Branch”. Sipas dokumentit, kompania, me administrator Junlin Sheng, ka një detyrim të pashlyer prej 10.788.188 lekësh të reja.
Në shkresë thuhet se shoqërisë i është dërguar njoftimi për pagimin e detyrimit, por ai nuk është paguar. Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara urdhëroi QKB-në që të mos lejojë tjetërsimin e pasurive, të drejtave pasurore dhe kuotave apo aksioneve deri në shlyerjen e detyrimeve.
Kompania u regjistrua në Shqipëri në dhjetor 2023, si degë e shoqërisë “China International Zoom Material Co Limited” nga Hong Kongu. Administratorë dhe përfaqësues ligjorë janë Jiang Yijun dhe Junlin Sheng.
Prokuroria e Fierit nisi hetimet në dhjetor 2024 për vepra penale si fshehja e të ardhurave, pastrimi i produkteve të veprës penale, shpërdorimi i detyrës dhe moskryerja e detyrave nga organet tatimore. Në qendër të hetimit është veprimtaria financiare e Bankers Petroleum nga viti 2015, me dyshimin se koncesionari ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet për të shmangur detyrimet ndaj shtetit. Figura kyçe e hetimit është administratori i kompanisë për shumë vite, Leonidha Çobo.
Prokurorët dyshojnë për një skemë pastrimi parash në vlerën e milionave eurove, ndonëse shuma e saktë nuk është përcaktuar. Ata kanë identifikuar një numër të lartë kompanish që dyshohet se kanë shërbyer për të pastruar paratë e koncesionarit, mes tyre edhe Qinglong.
Në dosjen e paraqitur në gjykatë në korrik 2025, për arrestimin e të paktën 14 personave shqiptarë e të huaj, thuhet se pronari përfitues i kompanisë është një shoqëri me seli në Hong Kong, “një juridiksion që shpesh përdoret për strukturim korporativ me qëllime të errëta fiskale ose ligjore”.
Sipas të dhënave të hetimit, kompania fillimisht kishte vetëm administratorin të punësuar. Në vitin 2024 stafi u rrit në 24 persona, kryesisht nga Kina, dhe 10 prej tyre nuk kanë qenë kurrë në Shqipëri, megjithëse rezultojnë të paguar rregullisht. Po atë vit kompania shënoi fitim prej rreth 1.3 milionë eurosh, me klientë Bankers Petroleum dhe Albdrilling, e cila dyshohet gjithashtu si pjesë e skemës.