Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës po ndiqen edhe nga mediat ndërkombëtare, që kanë raportuar për përplasjet e 31 tetorit në Tiranë, molotovët, ndërhyrjen e Policisë dhe kërkesën për largimin e kryeministrit.
The Times of Israel: tubimi nisi paqësisht
Gazeta izraelite i referohet përplasjeve mes protestuesve dhe Policisë, hedhjes së molotovëve e gurëve dhe arrestimeve. Me fotografi të Associated Press, ajo përshkruan situatën para Ministrisë së Arsimit, ku tubimi nisi paqësisht, por u përshkallëzua me djegien e koshave të mbeturinave dhe hedhjen e sendeve të forta drejt efektivëve.
Gazeta e cilëson lëvizjen si sfidën më të madhe për Ramën, në pushtet që nga viti 2013. Protestat, shkruan ajo, nisën me kundërshtimin e një projekti turistik të lidhur me Jared Kushner dhe u zgjeruan me kërkesa kundër korrupsionit, problemeve në arsim dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë.
Reuters dhe France 24
Reuters, në shkrimet e 24 dhe 25 tetorit, përshkroi përplasjet me Policinë, gazin lotsjellës, autobotët me ujë dhe plumbat e gomës, si dhe insistimin e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit. Agjencia e lidh mobilizimin e udhëhequr nga studentët me pakënaqësinë ndaj korrupsionit të perceptuar, mungesës së punës dhe standardeve të ulëta në arsim. Ajo pasqyron edhe masat e qeverisë për të frenuar incidentet.
France 24, me materiale nga AFP dhe Reuters, përcolli shqetësimin e Bashkimit Europian për përshkallëzimin e situatës. BE-ja ka bërë thirrje për hetimin e pretendimeve për përdorim të tepruar force nga Policia dhe për uljen e tensioneve nga të gjitha palët.
Mediat italiane dhe Le Monde
Agjencia ANSA raportoi për incidentet e 31 tetorit, ndërsa Sky TG24 dhe La Stampa pasqyruan përplasjet me Policinë dhe kundërshtimin e një pjese të studentëve ndaj pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Partisë Demokratike në tubim. Le Monde i kushtoi një analizë më të gjerë revoltës, duke e lidhur me pakënaqësitë ndaj qeverisjes, korrupsionin dhe problemet e akumuluara ndër vite.