Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë me një deklaratë pas protestës së së shtunës në Tiranë, ku studentët nuk pranuan praninë e deputetëve demokratë dhe kërkuan largimin e tyre nga tubimi.
Berisha përgëzoi studentët dhe gjimnazistët për qëndrimin përballë ndërhyrjes së Policisë. Ai përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe për një qeveri kujdestare, që sipas tij do të bënte të mundur zgjedhje të lira e të ndershme.
“Trimëria, vendosmëria e studentëve të revoltuar dhe gjimnazistëve mposhti në të gjitha rastet sulmet e egra të narkobanditëve, që u përpoqën të shtypin me dhunë protestën.”
Ai ftoi çdo qytetar dhe forcat politike të mbështesin revoltën studentore, me qëllim largimin e Ramës dhe rikthimin e votës së lirë.
Akuza për përçarje të protestës
Pjesa më e ashpër e deklaratës lidhej me largimin e deputetëve të PD-së. Berisha pretendoi se pas kësaj qëndronte një përpjekje e Ramës për ta përçarë tubimin, duke drejtuar gishtin te aktivistët e kreut të Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, të cilët i cilësoi “Jago të revoltës studentore”.
“Sot dështoi në mënyrën më të turpshme përpjekja e Ramës për të përçarë protestën”, u shpreh Berisha.
Ai pretendoi gjithashtu se në këtë përpjekje ishin përfshirë persona të angazhuar nga Policia.
Të rinjtë kërkuan që protesta të ruajë karakterin studentor dhe të mos shndërrohet në aktivitet të partive politike.