Avokati Plarent Ndreca ka dërguar një shkresë drejtorit të burgut të Fierit, ku pretendon se për herë të dytë nuk i është lejuar të takohet me klientin e tij, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili mbahet në paraburgim në këtë institucion.
Sipas Ndrecës, pengimi i hyrjes në ambientet e burgut përbën shkelje të së drejtës për mbrojtje dhe cenon ushtrimin e detyrës së tij si avokat. Ai i referohet nenit 51 të ligjit, i cili, sipas tij, e garanton të drejtën e mbrojtësit për t’u takuar me klientin në çdo kohë.
Avokati paralajmëron se, nëse situata nuk zgjidhet, do t’i drejtohet oficerit të policisë gjyqësore për të depozituar kallëzim penal për shpërdorim detyre ndaj punonjësve që, sipas tij, janë përgjegjës për mosleshimin e takimit. Ai i kërkon drejtorit të ndërhyjë menjëherë për të siguruar zbatimin e ligjit.
Në shkresë, Ndreca thekson se nuk ka pasur për qëllim përshkallëzimin apo publikimin e çështjes, por se përsëritja e pengesës e detyron të ndërmarrë veprime ligjore.
“Respektimi i ligjit nuk është çështje vullneti apo diskrecioni të punonjësve të institucionit. Është detyrim!”