Një autobot i ngarkuar me naftë, që po udhëtonte nga Durrësi drejt Kosovës, u mbajt i bllokuar katër ditë në Doganën e Morinës dhe më pas u lejua të vazhdojë rrugën. Sipas një denoncimi, rasti ngre dyshime për kontrabandë nafte dhe pyetje për mënyrën si u mbyll procedura pas ndërhyrjes së zëvendësdrejtorit të Doganave, Erald Delilaj.
Sipas të dhënave të denoncimit, ngarkesa udhëtonte me praktikën e tranzitit nr. 5271, datë 28 gusht 2026. Autoboti mbante targat AB73*ZH / 0541*XC dhe transportonte gasoil. Pronar i deklaruar i ngarkesës ishte shtetasi kosovar Burim V., ndërsa mjetin e drejtonte shoferi Vjonis B.
Gjatë kontrollit nga shërbimet doganore dhe grupi i antikontrabandës tokësore në Morinë, u konstatuan parregullsi te plumbçet doganore me numrat 26ALP1103185 dhe 26ALP1103186. Doganierët që e vërejtën shkeljen e referuan te Departamenti Operativ Hetimor, përmes Sektorit të Monitorimit, duke njoftuar edhe Drejtorinë e Hetimit.
Plumbçet shërbejnë për të garantuar që malli nuk është hapur apo manipuluar gjatë tranzitit, ndaj parregullsitë në to kërkojnë verifikimin e integritetit të ngarkesës. Në të kundërt, situata mund të tregojë për kontrabandë nafte.
Megjithatë, autoboti qëndroi i bllokuar katër ditë dhe më pas iu lejua vijimi i rrugës, çka ngre pikëpyetje mbi mënyrën si përfundoi procedura pas ndërhyrjes së Delilajt. Denoncimi kërkon verifikimin e dokumentacionit, veçanërisht nëse shkelja u konstatua zyrtarisht, çfarë masash u morën dhe mbi çfarë baze u lejua tranziti.
Pyetjet që mbeten pa përgjigje janë kush e autorizoi lirimin pas katër ditësh, nëse u krye kontroll fizik i plotë i ngarkesës dhe u verifikua sasia e naftës, si dhe ku ndodhen procesverbalet e akteve përfundimtare. Përgjigje pritet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe organet kompetente të hetimit.