Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se në Vlorë dhjetëra pika karburanti dhe lavazhe kanë punuar pa licencat dhe autorizimet e nevojshme, pa marrë masa nga strukturat bashkiake. Gjetjet përfshihen në raportin përfundimtar të auditimit të Bashkisë Vlorë për vitin 2025.
Sipas KLSH-së, nga 40 subjekte që tregtonin karburante me pakicë, 18 rezultuan pa licencë. Kjo ka sjellë 18 milionë lekë të ardhura të munguara për buxhetin vendor nga tarifat e licencimit. Bashkia nuk kishte dokumentuar që e kishte njoftuar Inspektoratin Shtetëror Teknik Industrial për bllokimin e tyre.
Për katër pika karburanti, të identifikuara përmes të dhënave të institucioneve të tjera shtetërore, drejtoria përgjegjëse e bashkisë nuk kishte informacionin dhe dokumentacionin përkatës.
Te lavazhet, KLSH konstatoi se 51 subjekte ushtruan aktivitet gjatë vitit 2025, por asnjëri nuk kishte autorizimin e bashkisë. Vetëm nga mungesa e licencave për karburantet dhe e autorizimeve për lavazhet, bashkia ka lënë pa mbledhur mbi 18.5 milionë lekë.
Auditimi evidentoi parregullsi edhe në ndërtim, ku 46 subjekte kishin kryer punime në territorin e bashkisë pa u ngarkuar me tarifat e pastrimit, ndriçimit dhe gjelbërimit. Për plazhet, 13 subjekte me detyrime të papaguara ndaj bashkisë u pajisën sërish me hapësira për stacione plazhi në vitin 2025.
Në total, detyrimet e akumuluara nga taksat dhe tarifat vendore ndaj Bashkisë Vlorë arritën në 829.6 milionë lekë në fund të 2025-s, me një rritje prej 10.5 milionë lekësh krahasuar me një vit më parë.
Këto gjetje dalin ndërkohë që qeveria ka përgatitur paketën e re fiskale për vitin 2027, që parashikon rritje të barrës tatimore për një pjesë të bizneseve dhe qytetarëve. Kritikët vënë në dukje se kjo politikë rëndon ata që paguajnë rregullisht, ndërsa informaliteti nuk adresohet dhe mungesa e kontrollit krijon konkurrencë të pandershme e humbje të ardhurash publike.