Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas ende nuk ka vënë në lëvizje asnjë pasagjer, ndërsa afati i funksionalizimit është shtyrë sërish dhe tani synohet për vitin 2027. Në të njëjtën kohë, strategjia e re sektoriale e transportit, e miratuar nga qeveria, parashikon investime hekurudhore prej rreth 1.19 miliardë eurosh deri në vitin 2030.
Punimet nisën në vitin 2022. Ish-ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaroi atëherë se linja do të përfundonte në fillim të vitit 2024. Në ceremoninë e nisjes ishte e pranishme presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila shprehu habi për afatin e shkurtër.
Afati u shty më pas drejt fundit të 2024-s, pastaj në 2025 dhe në 2026. Në shkurt 2026, Hekurudha Shqiptare konfirmoi se punimet do të mbaronin në dhjetor 2026, ndërsa testimet dhe nisja e operimit pritej në tremujorin e parë të 2027-s, sipas një raportimi të Citizens.al.
Në maj 2026, ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, pranoi vonesat dhe tha se duhej të përfundonin ende procedurat për elektrifikimin. Në shtator, zëvendësministrja Enkelejda Muçaj e vendosi objektivin e funksionalizimit të linjës dhe të lidhjes me aeroportin në vitin 2027.
Sipas një investigimi të Qendrës Shqiptare për Gazetarinë Cilësore (ACQJ), deri në maj 2026 vlera e investimit dhe e financimeve të lidhura me projektin kishte kaluar 118 milionë euro, pa përfshirë plotësisht kostot përfundimtare të elektrifikimit. Vonesat lidhen me shpronësimet, ndryshimet në projekt, ndërtimin e urave dhe stacioneve të reja, si dhe me përfshirjen e elektrifikimit në fazat e mëvonshme.
Vonesa e linjës përmendet edhe në lidhje me deklaratën e kryeministrit Edi Rama të 21 tetorit, gjatë protestave studentore. Ai paralajmëroi se personat e përfshirë në akte dhune do të regjistroheshin në një listë dhe do të kufizoheshin nga aeroportet, hotelet, trenat e mjetet e tjera të transportit.
Strategjia e re parashikon rehabilitimin e linjave ekzistuese, segmente të reja dhe elektrifikimin e rrjetit. Për linjën Rrogozhinë-Vlorë dhe lidhjen me aeroportin e Vlorës janë planifikuar 149.6 milionë euro, me zbatim 2027-2031. Rehabilitimi i hekurudhës Rrogozhinë-Pogradec/Rrajcë, deri në kufirin me Maqedoninë e Veriut, parashikohet me 297.55 milionë euro për periudhën 2027-2032.
Segmenti Durrës-Rrogozhinë ka një investim të parashikuar prej 111.48 milionë eurosh, plus 21.6 milionë për elektrifikimin. Linja Vorë-Hani i Hotit, që synon lidhjen me Malin e Zi, vlerësohet 375.77 milionë euro për 2026-2030, me 71.9 milionë shtesë për elektrifikim.
Plani përfshin edhe 74.05 milionë euro për Tiranë-Durrës dhe lidhjen me Rinasin, me afat deri në 2028, si dhe 30.11 milionë për zgjatimin drejt terminalit të ri të Tiranës. Elektrifikimi i linjës Tiranë-Durrës e i lidhjes me aeroportin ka 27.5 milionë euro, ndërsa Porto Romano-Sukth 29.5 milionë për transportin e mallrave. Projektet kryesore arrijnë rreth 1.07 miliardë euro, e me elektrifikimin e veçantë afërsisht 1.19 miliardë.