Kryeministri Edi Rama ka një këshilltare të re për çështjet e medias: Vlerë Gjakova, e cila në profilin e saj në LinkedIn e përshkruan veten si “stratege për çështjet e medias”. Emri i saj është bërë i ditur nga burime qeveritare, sipas të cilave ajo e ka marrë zyrtarisht detyrën para dy javësh.
Gjakova është lindur në Maqedoninë e Veriut dhe ka jetuar një kohë të gjatë në Kosovë. Tetë vjet më parë iu bashkua Vetëvendosjes së Albin Kurtit, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2019 ishte kandidate për deputete nën siglën e kësaj force politike, fakt që e ka publikuar vetë në rrjetet sociale. Në të shkuarën ka komentuar zhvillimet politike në Kosovë dhe në Shqipëri, ndër të tjera si pjesë e rubrikës “Rrethi Katror” në emisionin “E Diell”, të moderuar nga Edi Manushi.
Është parë një e-mail i dërguar nga Vilma Guri, shefe e kabinetit në kryeministri, sekretarëve të përgjithshëm të ministrive, ku njoftohet roli i Gjakovës. Aty kërkohet që këshilltarët e medias në çdo ministri të zhvillojnë takime me të, për t’i paraqitur strategjitë e komunikimit.
Në LinkedIn ajo e përshkruan veten si stratege komunikimi, eksperte e energjisë së rinovueshme dhe publiciste me 18 vjet përvojë në strategjitë e medias dhe marrëdhëniet me publikun. Sipas burimeve të hapura online, ka një master në Filozofi dhe Psikanalizë pranë Qendrës Kërkimore për Filozofinë Greke dhe një tjetër në Metafizikë, Epistemologji, Filozofi Morale dhe Politike në Universitetin Aristotel të Selanikut. Studimet Bachelor i ka kryer në Komunikim dhe Gazetari në Institutin Maqedonas për Media, përfshirë studime në Ekonomi dhe Tregti Ndërkombëtare.
Ka punuar si strategjiste komunikimi dhe eksperte e energjisë së rinovueshme, me fokus te qytetet e zgjuara e të gjelbra dhe ekosistemet digjitale. Më parë ka qenë zëdhënëse dhe përgjegjëse për marrëdhëniet me publikun në EVN Maqedoni. Përvoja e saj përfshin punën me Komunën e Çairit, OJQ-në VEPRO! (ACT), Coca-Cola Kosovo dhe Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative (BIRN). Është aktive si aktiviste për të drejtat e njeriut e ato civile, feministe dhe publiciste, dhe ka shkruar për platforma si Observatori Evropian i Gazetarisë.